Menaxhimi i ndryshimeve në shkollë

Menaxhimi i ndryshimeve në shkollë

Objektivat e modulit

• të zotëroni konceptet dhe idetë kryesore që lidhen me ndryshimin në shkollë
• të përcaktoni rrethin e gjerave që duhen ndryshuar në shkollë dhe në klasë 
• të përcaktoni mënyrat e realizimit të ndryshimit 
• të konceptoni nisma për sjelljen e ndryshimeve

 

Menaxhimi i ndryshimeve në shkollë 
Pesëqind vjet para epokës së re, filozofi grek Herakliti u ka thënë nxënësve të vet se; ,,Çdo gjë ndryshon, përveç ligjit të ndryshimeve’’. Po ashtu ai ka thënë: ,,Në të njëjtin lumë nuk mund të hyni dy herë’’. 
Jeta paraqet në vete ndryshimin e pandërprerë. 
Brenda një sekonde me miliona ndryshime ndodhin në një qelizë te njeriu….

Ç’ është ndryshimi ?

Në jetojmë në një botë që ndryshon. Fullan, një nga studiuesit më në zë të teorisë dhe praktikës së ndryshimit, shkruan: “Kjo është një botë në të cilën ndryshimi është një udhëtim ku pikëmbërritja është e panjohur, ku problemet janë miqtë tanë, ku kërkimi i ndihmës është shenjë e forcës, ku nismat e njëkohshme nga lart-poshtë dhe poshtë-lart përzihen me njëra-tjetrën, ku kolegjialiteti dhe individualizmi bashkëjetojnë në një tension produktiv. Vetëm njerëzit që zotërojnë njohuritë dhe aftësitë për ndryshim mund të realizojnë një ndryshim të efektshëm. Pra ndryshimi i vërtetë , qoftë ky i dëshiruar ose jo, përfaqëson një përvojë serioze vetjake dhe kolektive, që karakterizohet nga paqartësia dhe pasiguria; dhe nëse ndryshimi është i suksesshëm, ai mund të sjellë një ndjenjë zotërimi, arritjeje dhe zhvillimi profesional.

Ndryshimi, në një kuptim të gjerë, shënon çdo veprim nëpërmjet të cilit bëjmë diçka ndryshe nga ç’ është.

• E bëj ndryshe nga ç’ është — ndryshoj ngjyrën, sjelljen, emrin 
• E kaloj nga një formë në tjetrën — lavra shndërrohet në flutur 
• E kaloj nga një stad në tjetrin —- ndryshimi i dritave të semaforit 
• Lë diçka dhe marr një tjetër —— ndryshoj adresën, punën, etj. 
• Kaloj nga një anë në tjetrën —– ndryshoj drejtimin, partinë 
• Kaloj nga një gjë në tjetrën — ndryshoj trenin, makinën 
• Bëhem tjetër njeri ———- ndryshoj tipare të personalitetit 
• Ndryshoj sistemin shoqëror —– nga diktatura në demokraci

Modifikimi është ndryshim sipërfaqësor apo formal pa ia ndryshuar thelbin, për ta bërë të përshtatshëm për një qëllim tjetër. 
Transformimi është ndryshimi i plotë i pamjes së jashtme ose i karakterit të diçkaje ose të dikujt.

Tri elementet e konceptit ndryshim janë:

1. Sasia e ndryshimit. Ndryshimi mund të jetë i madh ose i vogël. Megjithatë, ai matet me ndikimin që sjell në shoqëri 
2. Kohëzgjatja e ndryshimit. Sipas Fullan, një shkollë fillore mund të arrijë të përmirësohet për rreth 3 vjet, një shkollë e mesme për rreth 6 vjet dhe një zonë shkollore për rreth 8 vjet. 
3. Natyra e ndryshimit. Ndryshimi mund të jetë i menjëhershëm ose i ngadaltë.

• Filozofikisht ndryshimi është parimi bazë i ekzistencës. Objekt i ndryshimit është gjithçka: natyra, shoqëria, institucionet, individi, etj. 
• Ndryshimi social, ndryshimi i një shoqërie në periudha e kohë të ndryshme 
• Ndryshimi i individit si proces luan rol qendror në jetën e njeriut. Njeriu vazhdimisht i nënshtrohet një ndryshimi fizik e psikologjik. 
• Ndryshimi në arsim është i pashmangshëm dhe i nevojshëm.

Ne tani po jetojmë në kohen e transicionit nga shoqëria industriale në shoqërinë e informacionit. Këto ndryshime mund të jenë:

a. Që dedikohen nga ndryshime ekonomike e sociale 
b. Nga rritja e diversitetit të popullatës së cilës i shërben shkolla 
c. Nga konceptimet e reja për të nxënët dhe njohjen

Sipas Fullan ndryshimi diktohet nga fakti se;

,,… Se sistemi arsimor dhe partnerët e tij nuk kanë arritur të prodhojnë qytetarë, të cilët të mund të japin ndihmesën dhe të përfitojnë nga një botë që ofron mundësi shumë të mëdha, por që, në të njëjtën kohë, paraqet edhe vështirësi të mëdha për të gjetur rrugën në të. Ndryshimi në arsim është i nevojshëm, sepse shumë nxënës nuk e duan shkollën, e lënë atë ose dalin keq në mësime. Jeta e tyre në shkollë është më e varfër nga sa duhet të jetë. Ndryshimi në arsim nevojitet sepse shumë mësues nuk mund të durojnë më, janë mërzitur dhe nuk u ka mbetur më pikë energjie.’’ Çështja që shtrohet sot është se si duhet të jetë arsimi dhe shkollat që ne t’i përgatisim njerëzit për shoqërinë e informacionit dhe si ta kapërcejmë këtë transicion.

Ç’ mund të jetë objekt ndryshimi në shkollë ?

Qëllimi dhe objektivat e shkollës 
Menaxhimi i shkollës

• Menaxhimi i mësimdhënies dhe i të nxënët 
• Menaxhimi i njerëzve 
• Menaxhimi i politikës dhe i planifikimit të zhvillimit 
• Menaxhimi i burimeve financiare 
• Pranimi në punë, zhvillimi profesional dhe vlerësimi i mësuesve 
• Kriteret dhe mekanizmat e pranimit të nxënësve në shkollë 
• Struktura dhe përmbajtja e kurrikulës 
• Teknologjia mësimore 
• Cilësia e mësimdhënies 
• Cilësia e arritjeve të nxënësve 
• Klima në shkollë dhe në klasë 
• Vlerësimi i nxënësve 
• Mjedisi fizik i shkollës 
• Partneriteti me prindërit dhe komunitetin 
• Vlerësimi i shkollës 

Cilët janë agjentët e ndryshimit ?

Agjent ndryshimi është një person, grup, agjenci, institucion, ose një mjet që synon të ndryshojë, të ristrukturojë, të transformojë konceptet, rrethanat, proceset, shoqërinë, institucionet, veten. Çdo njeri është agjent i ndryshimit. Mësuesit, drejtuesit, nxënësit, prindërit, bashkësia, qeveria – janë agjentë të ndryshimit të shkollës.

• ,,Mësuesit janë agjentë moral të ndryshimit se qëllimi moral i shkollave është të sjellim diçka tjetër në jetën e nxënësve dhe se sjellja e diçkaje tjetër, do të thotë, saktësisht, që të shkaktosh ndryshime që ia vlejnë’’. – Fullan. Punëtorët e arsimit duhet ta shohin veten dhe të shihen nga të tjerët si njohës e specialist të dinamikës së ndryshimit.

• Nxënësit kanë ide dhe mendime shumë të mira për të ndryshuar dhe përmirësuar shkollën. Nxënësit duke u bërë pjesë e ndryshimit do të ndryshojnë edhe veten e tyre. 
• Prindërit janë agjentë të jashtëm të ndryshimit të shkollës. Ata janë të interesuar që fëmijët e tyre të përparojnë sa më shumë në shkollë. 
• Bashkësitë mund të jenë shtysë për ndryshimin në arsim. Bashkësitë me nivel të lartë të arsimimit bëjnë trysni në shkolla që të bëjnë ndryshime sa më cilësore, ndërsa bashkësitë që kanë arsimim më të ulët shpesh ndodh që pengojnë ndryshimet pozitive në arsim.

Cilat janë karakteristikat e njerëzve që sjellin ndryshimin në shkolla dhe në klasa

Ekziston një tezë se udhëheqësit e ndryshimit arsimor duhet të jenë udhëheqës dhe menaxherë njëkohësisht. Sipas një teze tjetër vetëm administratorët mund të jenë udhëheqës të ndryshimit. Megjithatë, teza se ndryshimi vjen nga individët që ndodhen në pozicione drejtuese injoron udhëheqësit e padukshëm që veprojnë nga poshtë. 
Studimet e sotme janë përqendruar te mësuesit si udhëheqës të ndryshimit. Reformat aktuale e kanë nxitur pjesëmarrjen e mësuesve në udhëheqjen e ndryshimeve dhe marrjen e vendimeve.

Karakteristikat e udhëheqësve të ndryshimit janë:

a. Vizioni

Vizioni përfshin: zhvillimin, transmetimin dhe zbatimin e imazhit të dëshiruar. Këto tri aspekte janë në qendër të vëmendjes të udhëheqësve të ndryshimit arsimor. Vizionin duhet ta mendojmë si diçka që nuk u përket vetëm drejtuesve. Vizioni i drejtuesve përfshin ndryshimet në nivelin e shkollës: në menaxhimin e mësimdhënies dhe të të nxënit, në menaxhimin e njerëzve, në menaxhimin e politikës dhe të planifikimit të zhvillimit të shkollës, në menaxhimin e burimeve dhe të financës së shkollës. Vizioni i mësuesve përfshin ndryshimet në nivel klase: ndryshimet në përdorimin e kurrikulës, të modeleve të organizimit të punës me nxënësit, të metodave të mësimdhënies, bashkëpunimit me prindër si dhe ndryshimet për pjesëmarrjen e mësuesve në vendimmarrje.

Udhëheqja vizionare kalon në tri stade:

• Formulimi i vizionit për të ardhmen e dëshiruar 
• Ndarja e vizionit me të tjerët 
• Sigurimi i mbështetësve që të përqafojnë vizionin

Pyetja ,, Çfarë ndryshimi dua të shkaktoj unë personalisht ?’’ është një pikënisje e mirë për një vizion të përbashkët. Vizionin e shoqëron një plan për arritjen e qëllimeve. 

b. Besimi se shkollat janë për të mësuar nxënësit

Udhëheqësit efektivë besojnë se të nxënit e nxënësit është çështja më e rëndësishme. Drejtorët efektivë besojnë në plotësimin e nevojave të nxënësve. Drejtues e mësues bëjnë përpjekje për të përmirësuar mjedisin e të nxënit. 

c. Vlerësimi i burimeve njerëzore

Udhëheqësit e ndryshimit pranojnë se njerëzit e shkollës janë burimi më i rëndësishëm. ,, Për të realizuar ndryshimin drejtuesi duhet të besojë se njerëzit janë pasuria më e rëndësishme e organizatës.’’ – (Jonier) Udhëheqësit e ndryshimit bazohen në anët e forta të njerëzve dhe i vlerësojnë përpjekjet e tyre për realizimin e vizionit.

d. Të qenët komunikues dhe dëgjues

(udhëheqësit e ndryshimit duhet të jenë komunikues dhe dëgjues).

e. Të qenët proaktivë

Udhëheqësit e ndryshimit janë proaktivë. Ata marrin nismën, parashikojnë dhe pranojnë ndryshimet e mjedisit dhe të organizatës së tyre dhe fillojnë të eksplorojnë kurset e mundshme të veprimit për t’iu përgjigjur këtyre ndryshimeve. Pejza (1985) ka pohuar se ‘’ një udhëheqës në mënyrë të vazhdueshme skanon mjedisin ku duhet të ndodhin ndryshimet’’. Udhëheqësit proaktivë janë njerëz që sfidojnë status quo – në e organizatës dhe shpesh ata përshkruhen si individ që nuk i pranojnë rregullat, traditat e shkollës së tyre.

f. Bartës të rrezikut

Udhëheqësit e ndryshimit marrin rrezikun mbi vete. ,, Ndryshimi ndërmerret nga drejtues që rrezikojnë reputacionin e tyre për përfitimin e organizatës’’ – Jonier, 1987 
Udhëheqësit e ndryshimit sigurojnë stimujt e duhur për ndryshimin. Ata nxisin personelin të eksperimentojë metoda të mësimdhënies për të plotësuar nevojat e nxënësve. 
Backer (1971) ka arritur në përfundim se drejtuesit e suksesshëm ,, e kanë të vështirë të jetojnë brenda kornizave të ngurta të burokracisë; ata nuk e durojnë diktatin; ata shprehin interesin për gjetjen e procedurave nëpërmjet të cilave ndryshimi është i sigurt. ’’

Udhëzime për drejtuesit e ndryshimeve

1. Shmang qetësinë e rreme 
2. Mbështet rrezikun te siguria (nxit ndërmarrjen e rrezikut, por krijon rrjete sigurie, përmes marrëdhënieve të përkrahjes). 
3. Respekto ata që do t’u mbyllësh gojën (përfshiji në synimet e tua dhe mëso prej kundërshtarëve). 
4. Shko drejt rrezikut, kur krijon aleanca (,,bota atje, jashtë’’, mund të jetë e rrezikshme, por ju duhen partner të jashtëm). 
5. Bëj, si menaxhim emocional, ashtu edhe logjik (puno me inteligjencën tënde emocionale, mos i merr kundërshtimet si të drejtuara, personalisht, kundër teje). 
6. Lufto për çështje të humbura (ruaj shpresat edhe kur gjërat duken të pamundura).

Burimi: Majkell Fullan: Kuptimi i ri i ndryshimit në arsim, bot, shqip 2001, f. 228.

Si mund të realizohet ndryshimi ?

A. Modelet dhe fazat e realizimit të ndryshimit

Ekzistojnë katër modele të ndryshimit:

• Modeli i ndryshimit të mandatuar ose i ndryshimit të diktuar nga lart (kjo shkollë do të punojë me programin e arsimit cilësor). 
• Modeli i adoptuar (ne do të adoptojmë modelin e X shkolle të suksesshme). 
• Modeli i bazuar në agjentin e ndryshimit (një grup mësuesish kanë përdorur testet si instrumente për të matur dhe vlerësuar arritjet e nxënësve dhe i rekomandojnë shkollës që këto instrumente të përdoren nga të gjithë mësuesit). 
• Modeli i ndodhisë katalitike (pas ndryshimeve që ndodhin për shkak të luftës ne duhet të përdorim modelin multikulturor për kurrikulin).

Ndryshimi realizohet nëpërmjet dy lloj procesesh: 

1. Procesi diagnostikues përfshin tre hapa:

• Përshkrimi i tablosë aktuale të dukurisë, çështjes, situatës, institucionit. 
• Matja e dukurisë, e çështjes nëpërmjet vrojtimit, intervistimit, anketimit, testimit. 
• Specifikimi i problemeve dhe i nevojave duke krahasuar mospërputhjen e tablosë së vrojtuar me atë ideale, përcaktimin e shkaqeve të kësaj mospërputhjeje.

2. Ndërhyrja për të realizuar ndryshimin përmban tre hapa:

• Zgjedhja e elementeve ku duhet ndërhyrë, të nxjerra nga diagnostikimi. 
• Ndryshimi i roleve dhe i normave për të institucionalizuar procedurat dhe sjelljet e reja. 
• Vlerësimi i suksesit të ndërhyrjeve duke rimatur funksionimin aktual.

Fazat dhe stadet e ndryshimit 

• Faza e parë
 emërtohet me emrat: fillimi, mobilizimi, pranimi. 
Fillimi duhet të përfshijë konceptualizimin, ndërgjegjësimin, angazhimin, mobilizimin, marrjen e roleve, trajnimin.

• Faza e dytë – zbatimi ose përdorimi fillestar ( zakonisht zgjat dy ose tri vitet e para të përdorimit ). 
Zbatimi ka si elemente : zhvillimin, eksperimentimin, adaptimin ,modifikimin,përmirësimin.

• Faza e tretë – e quajtur vazhdimi , përfshirja, krijimi i rutinës ose institucianilizimi. 

• Faza e katërt 
ka të bëjë me realizimin në shkallë të gjerë të risisë.

Dimensioni personal i ndryshimit – Fazat e ndryshimit

• Vetëdijesimi 
• Përgatitja 
• Adaptimi 
• Zotimi 
• Përtëritja

• Vetëdijesimi – nuk kam brenga për të ndryshuar, prandaj edhe nuk veproj kam nevojë për informacion që nxitë interesimin tim.

• Përgatitja – kam informacion për ndryshimin dhe si mund të përfitoj prej tij. Jam i brengosur se si do të ndikojë tek unë. Më duhet ndihmë që të organizohem dhe t’i zhvilloj shkathtësitë e reja.

• Adaptimi – e kaloj kohën duke mësuar dhe duke bërë përpjekje t’i bëj gjërat ndryshe. Më duhet përkrahje dhe ndihmë për të zgjidhur probleme dhe për t’i njohur më mirë qasjet e reja.

• Zotërimi – jam adaptuar me mënyrën e re të punës. I kam përfshirë qasjet e reja në punën time të përditshme. Kam nevojë që të më inkurajojnë.

• Përtëritja – Kam plane të reja për t’i implementuar praktikat me qëllim të përmirësimit të rezultateve të punës dhe të performancës sime. Më duhet ndihmë për t’i jetësuar idetë e mia të reja.

Shtatë përjetimet e ndryshimit

• Bëjnë diçka me të cilën nuk janë mësuar (ndjehen të ngathtë, nuk ndjehen rehat, të vetëdijshëm). 
• Mendimi i parë që ju vjen në mendje është ta ndërpresin duke mos menduar se çfarë do të përfitojnë. (brengosen për çka do të humbasin). 
• Ndjehen të vetmuar edhe pse e shohin se të tjerët janë përfshirë në procesin e ndryshimit. (strukturojnë shkëmbimet. Marrëdhëniet sepse e dinë se njerëzit nuk mund të mendojnë për to në mënyrë të natyrshme). 
• Njerëzit merren në një serë ndryshimesh në të njëjtën kohë. (pak prej tyre mund të jenë në rregull e t’i pranojnë ndryshimet; mjaft prej tyre janë të prekur thellë e të mbytur në punë). 
• Njerëzit nuk janë të gjithë të gatshëm për ndryshime, janë në nivele të ndryshme gatishmërie. (jo mirë ose keq; mos i etiketoni ose t’i gjykoni, kjo mund të ndodhë prej situatës). 
• Njerëzit janë të shqetësuar se nuk kanë burime të mjaftueshme. (njerëzit duhen ndihmuar duke u treguar se rreth tyre ndodhen shumë burime dhe ata duhet të mendojnë për këtë). 
• Nëse nuk do të jenë nën presionin e ndryshimit, ata do të kthehen përsëri tek e mëparshmja. (rikthimi është i natyrshëm, britmat dhe ulërimat nga paniku nuk japin rezultate).


Tipat e njerëzve në ndryshim

• Inovatorët 
• Liderët 
• Shumica e hershme 
• Shumica e vonuar 
• Rezistuesit 


Inovatorët ( 8% )

• Të disponuar për të jetësuar ide të reja 
• Të hapur ndaj ndryshimit 
• Të motivuar 
• Kreativë 
• Njerëz me ide 
• Të gatshëm për të rrezikuar 

Liderët (17 % )

• Me ndikim 
• Të hapur ndaj inovacioneve 
• Të përgjegjshëm 
• Me ndikim tek të tjerët 

Shumica e hershme (29 % )

• Të kujdesshëm me rastin e marrjes së vendimeve për të bërë ndryshim 
• Përkrahës më shumë se prijetarë 
• Pasues – i dëgjojnë këshillat e atyre që u besojnë (liderëve). 
• Kërkojnë prova se ndryshimi është më i mirë se situata ekzistuese.

Shumica e vonuar ( 29 % )

• Shumë të kujdesshëm në adoptimin e ideve të reja 
• Do të presin për të parë… 
• Do t’i bashkëngjiten shumicës vetëm atëherë kur situata të jetë e qartë. 
• Kërkojnë prova se e reja është më e mirë se e vjetra. 
• Kërkojnë siguri se ndryshimi ka përkrahje 
• Mund të ndikohen nga të tjerët

Rezistuesit ( 17 % )

• Me plot dyshim ndaj risive 
• Kundërshtarë të risive 
• Zakonisht me ndikim të vogël dhe të izoluar 
• Zakonisht mund të tregojnë histori të ndryshme të dështuara

Të gjitha forcat nxitëse nuk pushojnë së komunikuari me forcat penguese

Komunikojnë sepse e shohin ndryshe pamjen….

Forcat nxitëse e vlerësojnë ndryshimin… Sjellin ndryshime… 
Procesi i ndryshimit ka përkrahësit dhe oponentët 

Pëpkrahësit e ndryshimit kanë dy mundësi veprimi ndaj rezistuesve:

1. Të shmangin, të injorojnë rezistencën 
2. Të pranojnë opozicionin Injorimi i oponentëve – ka përfundim ,,të fituar e të humbur’’

Bashkëpunimi midis përkrahësve dhe oponentëve – i nevojshëm 

Sipas Gorton dhe Snoëden ndryshimi i ka shtatë stade:

1. Ndërmerret një vlerësim i nevojave 
2. Orientohet grupi për ndryshimin e propozuar 
3. Prezantohet ndryshimi i propozuar 
4. Planifikohet programi i zbatimit 
5. Pilotohet risia e propozuar 
6. Zhvillohet një vlerësim i procesit 
7. Institucionalizohet dhe zbatohet risia 

Detyrat dhe metodat e ndryshimit

Nëse njerëzit nuk e dinë se ç’ duan të ndryshojnë dhe si ta realizojnë atë, përpjekjet nuk do të jenë të suksesshme. Për të realizuar ndryshimin nevojitet të përcaktohen detyrat e ndryshimit:

• Agjentet e ndryshimit duhet të zotërojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për ndryshimin a risinë që do të ndërmerret. 
• Përcaktimi i roleve, i rregullave, i rrjetit të komunikimit, shpërndarja e pushtetit, i mënyrës së efektshme të zgjidhjes se problemeve. 
• Përcaktimi i qëllimit të ndryshimit dhe i objektivave konkrete. 
• Sigurimi i infrastrukturës përkatëse.

Metodat për sjelljen e ndryshimeve

• Marrja e vendimit nga një autoritet i lartë. (kjo është metodë formale, individët motivohen nga udhëzimet e porositë e autoritetit të drejtuesit. Shoqërohet me mungesë angazhimi në sjelljen e ndryshimit). 
• Zëvendësimi i personelit. Edhe kjo është një metodë e zakonshme për ndryshimin organizativ. Sipas kësaj metode largimi i individëve, largon problemin. 
• Prezantimi i informacionit për një risi të dëshiruar. Njerëzit përfshihen në ndryshim sepse ndryshimi duket i arsyeshëm. 
• Zhvillimi i aftësive si metodë presupozon se kur anëtarët e organizatës janë pajisur me njohuri për të sjell ndryshimin (trajnime nga jashtë ekipore dhe sigurohet vazhdimësia e trajnimit). 
• Këshillimi pranohet si një metodë e efektshme. Pjesëmarrja e gjerë merr mbi vete përgjegjësi për t’u përballur me sfidat e zbatimit të risive. 
• Mbledhja e informacionit për funksionimin e organizatës. • Demonstrimi i efektshmërisë së një risie është një metodë e efektshëme për ndërmarrjen e ndryshimit. Vizita në një shkollë a klasë ku zbatohet risia. 
• Takimi ballafaques është një metodë që synon zgjidhjen e konflikteve dhe shmangien e pozicioneve ekstreme ndaj ndryshimit.

Tetë mësimet bazë të paradigmës së ndryshimit

Mësimi 1: Gjërat që kanë rëndësi nuk mund të bëhen me urdhër (sa më i ndërlikuar ndryshimi, aq më pak mund ta bësh me zor)

Mësimi 2: Ndryshimi është një udhëtim dhe jo një projekt (ndryshimi është jolinear, i ngarkuar me pasiguri dhe shqetësim dhe nganjëherë i përçudnuar)

Mësimi 3: Problemet janë miqtë tanë (problemet janë të pashmangshme dhe nuk mund të mësosh pa to)

Mësimi 4: Vizioni dhe planifikimi strategjik vijnë më vonë (vizioni dhe planifikimi i parakohshëm të verbojnë)

Mësimi 5: Individualizmi dhe kolektivizmi duhet të kenë fuqi të barabartë (nuk mund të këtë zgjidhje të njëanshme për problemin e izolimit dhe atë të grupmendimit)

Mësimi 6: As centralizmi as decentralizmi nuk kanë sukses (janë të nevojshme njëlloj si strategjitë nga lart-poshtë ashtu edhe ato nga poshtë-lart)

Mësimi 7: Lidhja me mjedisin më të gjerë është me rëndësi kritike për arritjen e suksesit (organizatat më të mira mësojnë si së jashtmi ashtu edhe së brendshmi)

Mësimi 8: Çdo njeri është agjent i ndryshimit (ndryshimi është kaq i rëndësishëm saqë nuk mund t’i lihet eksperteve, mbrojtja më e mirë është mendësia dhe mjeshtëria vetjake) 

Rregulla për të mbështetur ndryshimin

• Ndryshimi kërkon një ide të mirë, iniciativë dhe disa shokë 
• Mbani parasysh se gjithçka është në ndryshim të vazhdueshëm. 
• Përcaktoni qëllime të qarta për ndryshimin 
• Mbani parasysh se qëndrimet, aftësitë dhe rolet mund të modifikohen 
• Demonstroni një qëndrim optimist 
• Punoni me njerëz premtues 
• Propozojeni ndryshimin në një mënyrë të tillë që njerëzit ta ndiejnë ndryshimin si të tyre 
• Pyeteni veten se kush do të përfitojë nga ndryshimi 
• Siguroni informacion, fakte dhe dokumente të nevojshme për mbështetjen e ndryshimit

Pengesat për ndryshimin

Ndaj ndryshimit ushtrohen shumë presione. Rezistenca mund të jetë pozitive, kur mbron shkollën nga ndryshimet e padobishme dhe negative kur pengon ndryshimet e dobishme. Ka rezistenca racionale dhe joracionale.

Ka disa mënyra joracionale të rezistencës ndaj ndryshimit.

• Ruajtja e së kaluarës – mësuesit kanë kryer trajnime për metodologjitë e reja dhe vazhdojnë të japin mësim me të vjetrën. 
• Shkalla e ulët e të kuptuarit të ndryshimit ose të arsyes së ndryshimit i bën njerëzit rezistentë ndaj ndryshimit. 
• Mosinformimi ose mospërfshirja e tyre në procesin e ndryshimit.

Gabimet në procesin e ndryshimit

Gjatë procesit të ndryshimit nevojitet të shmangim katër gabime:

1. Gabimi psikologjik 
2. Gabimi sociologjik 
3. Gabimi racionalist 
4. Gabimi programor

,,Dykuptimësia e shprehjes ‘’forcat e ndryshimit’’ është e qëllimshme. Ndryshimi është i kudogjendshëm dhe i pareshtur dhe na imponohet në çdo hap që bëjmë. Në të njëjtën kohë, sekreti i rritjes dhe zhvillimit është që ta dish se si t’u bësh ballë forcave të ndryshimit – duke i kthyer forcat pozitive në dobinë tonë, ndërkohë që u ,,çmprehim tehun’’ e forcave negative. E ardhmja e botës është një e ardhme e të nxënit, të përgatitjes për të përballur ndryshimin. – Majkëll Fullan

Betejat më të mëdha në jetë zgjidhen nga lufta e përditshme në dhomëzat e fshehta të shpirtit. – David O.Mackay

Në shekullin XXI , duhet të jesh në gjendje; të mësosh, të çmësosh dhe të mësosh përsëri. – Duk

 

+18
+23°
+
Kumanovo
Wednesday, 06
Thursday   +28° +14°
Friday   +30° +14°
Saturday   +33° +16°
Sunday   +33° +16°
Monday   +34° +16°
Tuesday   +33° +16°

Visitoret

Mesazhe